Vdekja e 16-vjeçarit nga Covid-19, mjekja në Viti: Na ka prekur thellë në shpirt, shkoi në lulen e rinisë.
Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, Vjollca Kadolli, ka shprehur dhimbjen e saj për vdekjen e 16-vjeçarit nga koronavirusi. Ajo tha se rasti i 16-vjeçarit me inicialet B.B, nga fshati Vërban i Vitisë, është rasti më i dhimshëm gjer më tani për të, shkruan Gazeta Express.
“Tani që u bë një vit nga shfaqja e pandemisë, për mua është rasti më i dhimbshëm gjer më tani, sepse natyrshëm vdekja e një të riu përjetohet më rëndë, sidomos për mantelbardhët që përditë përballemi me situata të vështira, porse nuk guxojmë të dorëzohemi asnjëherë. Blendi na ka toronditur e na ka prekur thellë në shpirt, sepse shkoi në lulen e rinisë”, thuhet në shkrimin e saj.
Njoftimi i plotë:
Virusi nuk e kurseu as jetën e Blendit!
Sot morëm një lajm të dhimbshëm, ngase virusi famëkeq i paska marrë jetën edhe Blendit 16-vjeçar.
Tani që u bë një vit nga shfaqja e pandemisë, për mua është rasti më i dhimbshëm gjer më tani, sepse natyrshëm vdekja e një të riu përjetohet më rëndë, sidomos për mantelbardhët që përditë përballemi me situata të vështira, porse nuk guxojmë të dorëzohemi asnjëherë.
Blendi na ka toronditur e na ka prekur thellë në shpirt, sepse shkoi në lulen e rinisë.
Në emrin tim dhe të personelit shëndetësor në QKMF të Vitisë, familjes dhe mbarë vitiasve, ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta!
Zoti e mëshiroftë Blendin, ndërsa familjarëve ua lehtësoftë dhimbjet!