0

Valmir Aliçikaj e ka përjetuar shumë rëndë vdekjen e 19-vjeçares Nazlije Sherifi nga Mitrovica, të cilës priste të ja dhuronte veshkën brenda pak ditësh.

Deçanasi tha se kur e kuptoi lajmin për ndarjen e saj nga jeta i është dukur sikur ta humbiste ndonjë anëtar të familjes së tij.

Vajza 19-vjeçare vuante nga një sëmundje e rëndë, ndërsa transplantimin e veshkës priste ta bënte brenda pak ditësh, pasi mjekët i kishin thënë se duhet të priste derisa t’i tejkalonte disa telashe me shëndetin.

Valmiri, djali i cili vendosi t’ia dhuronte veshkën 19-vjeçares tha se lajmin e hidhur e ka marrë nga vëllai i saj.

“Vëllai i saj me ka telefonu dhe pasi e mora lajmin për vdekjen e saj, sinqerisht mu ka duk sikur mu ka çkap gjysma e trupit tim ose më ka vdek ndonjë pjesëtar i familjes. Para tri orësh kam folë me vëllain e saj”, tha Valmir Aliçikaj për Gazetën Express.

Ai shtoi se vazhdimisht ka kontaktuar me 19-vjeçaren të cilën e ka cilësuar si motër të tij.

“Gjithmonë kam kontaktuar me vajzën, kemi qenë në Tiranë për analiza bashkë. Tani jemi në Spital po e presim kufomën, e kam ndje sikur pjesë të trupit tim sikur motrën time, po gjithmonë me të kam kontaktu si natën e Vitit të Ri, vetëm me motivu. Ju thash që e përjetoj si me vdek një pjesëtar i familjes”, shtoi tutje djali nga Deçani.

I pyetur se kur ishte planifikuar të bëhej transplantimi, ai tha se operacioni do të bëhej brenda dy javësh.

“Ka pas vajza me u shëru se ka pas pak ujë në trupin e vetë po Zoti ka dashtë me ndodh kjo çka e ka shkru Zoti. Mjekët kanë thënë që rikuperimi me ndodh për 2 javë sepse ka qenë e pamundshme me u fut në sallën e operacionit”, tha më tej Aliçikaj për Gazetën Express.

Ai shtoi se vajzën nuk e ka njohur më parë, por e ka parë obligim ta ndihmojë.

“Vendimin për me ja dhuru veshkën e kam marrë përmes mediave, e kam cekë vazhdimisht. Kurrë se kam njoft më parë, por e kam ndje obligim”, përfundoi ai.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë se djali që kishte shprehur gatishmërinë për t’ia dhuruar veshkën 19-vjeçares e cila ndërroi jetë pak më parë, është shprehur i mërzitur dhe i dëshpëruar që nuk ka arritur t’ia shpëtonte jetën asaj.

“Para pak minutash ndërroj jetë vajza qe bashkëvendasi ynë Valmir Aliçikaj, i shtyer nga humaniteti për te shpetuar një vajzë 19 vjeçare doli vullnetar të ja dhuroj veshken.

E takova dhe fola me Valin sot pas vdekjes se Nazlijes,ishte i dëshpëruar e tejet i merzitur qe nuk mundi te ja shpetoj jetën! Ngushëllime familjes!”, ka shkruar Ramosaj në Facebook, transmeton Gazeta Express.

Lajmi për vdekjen e Nazlije Sherifit e ka pikëlluar gjithë vendin, teksa familja ka pranuar mijëra ngushëllimë nga qytetarët. Kjo u bë e ditur fillimisht vëllai i saj Iliri, me anë të një postimi në Facebook.

“Allahu e deshti per vete ngase ishte engjull nga dita qe lindi. ALLAHU tmeshiroft ne xhennet motra ime 😭😭😭”, ka shkruar ai.

Ndryshe, vendimi i Valmir Aliçikajt për dhurimin e veshkës është përshëndetur nga të gjithë.

SHPËRNDAJE