Rrëfim nga Pozherani ku u shua një familje, vëllai i dorasit, vrajset ndodhën brenda dy minutave.
Mbrëmë është shuar familja Zuka, katëranëtarëshe, nga fshati Pozheran i Vitisë.
Kryefamiljari, Fetahu, 45 vjeç, i privoi nga jeta gruan Makifiren dhe dy djemtë e tyre, 23 e 18 vjeç, Hamdiun e Arbërin.
Mërzi e madhe e ka kapluar familjen Zuka nga Pozherani në ditën e Vitit të Ri. Në vend të festës, ata po presin njerëz për kryeshëndoshë, pasi, një natë më parë, mërgimtari nga Zvicra e kreu krimin e rëndë brenda familjes e më pas e vrau veten, pak metra larg shtëpisë së tij.
Vëllai i Fetahut, Vetoni rrëfeu ngjarjen dhe momentet e fundit të vëllait pak para se të ndodhte tragjedia. Sipas tij, ai vrau gruan, dy djemtë dhe më pas veten dhe e gjithë kjo ndodhi brenda dy minutave.
“Dje, vëllai ka shku te axha, ka ndejt, tani ka shku te vëllai i madh, ka ngrënë bukë dhe ka pi çaj…Prej aty ka shku në Kllokot, ka bë fizioterapi, se krahu i ka dhimt, edhe ka ardhë deri te dyert me një djalë të axhës, kur ka ardhë, se kamera e ka filmu prej jashtit, 2 minuta ka zgjatë dhe ka hy, ka kontaktu me gruan dhe djemtë e tij, se ata kishin ardhë nga familja e gruas së tij, edhe shenja as kurgjë s’kemi vërejt”, tha vëllai i 45-vjeçarit.
Teksa e rrëfën ngjarjen, Vetoni thotë se pasi ka dëgjuar për rastin, i ka humbur ndjenjat.
“Unë, si kam dëgju, më ka ra të fikët në oborr, s’kam mujt me ardhë te shtëpia e vëllait. Më vonë, kur erdhëm, ishin policia, e rrethuan me shirita”, thotë ai.
I pyetur nëse çifti ka pasur probleme mes vete, ai tha se familja nuk ka njohuri për një gjë të tillë, pasi në sy të tyre nuk janë shfaqur që kanë probleme.
“Jo, kurgjë nuk kemi ditë na, hiç, ata kanë jetu në Zvicër, ne jetojmë në Kosovë. E kemi shtëpinë më poshtë sesa kjo e vëllait. Kurgjë s’na kanë tregu, ne e kemi ditë që ata shumë mirë e kalojnë mes vete. Neve s’na kanë tregu asgjë, se ta kishëm ditë, do të ndërhynim edhe ne”, shtoi Vetoni.
Tutje, ai tha se me vëllanë kanë kaluar shumë mirë dhe çdo natë kanë ngrënë darkën bashkë.
“Për çdo natë i kemi ngrënë darkat bashkë, te vëllai i madh, gjithmonë na kanë thirrë, e kanë përgatit bukën, tona të mirat e Allahut i kanë pas. Kanë punu, kanë pasur pasaporta zvicerane. Para luftës kanë dalë në Zvicër. Djali i madhi ka punu, i vogli ka desht me vazhdu shkollimin”, rrëfehet tutje Vetoni.
Vetoni thotë se vëllai i tij ka qenë shumë i lidhur me nënën e tyre dhe së fundmi ka thënë se po e dëgjon zërin e saj. Ai shtoi se vëllai nuk ka vuajtur nga ndonjë sëmundje mendore.
“Nëna na ka vdekë para pandemisë, ka qenë shumë i lidhur me nënën, pastaj u mbyllën kufijtë dhe nuk arriti të vinte për vdekjen e saj. Ai ka thënë që po e dëgjon ngapak zërin e nënës, kohëve të fundit. S’ka vuajt nga ndonjë sëmundje, përkundrazi, ka punuar shumë në Zvicër, ka kry shumë teste e shkollë me shpërthy eksplozivin”, tha ai.
Ai në fund tha se gruaja e Fetahut, Makfirja, kishte planifikuar të udhëtonte sot për në Zvicër bashkë me dy djemtë.
Lidhur me rastin është deklaruar edhe Policia Rajonale e Gjilanit.
Policia e ka klasifikuar rastin si “vrasje e rëndë dhe vetëvrasje”, teksa shton: “Njësitë relevante dhe ekipi mjekësor kanë dalur në vendin e ngjarjes, ku edhe është konstatuar vdekja e tyre. Me vendim të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion, ndërsa si dëshmi materiale është sekuestruar një pistoletë, e cila dyshohet të jetë përdorur në rast. Rasti vazhdon të hetohet nga njësitet policore”.
Për shkak të kësaj tragjedie, dita e premte është shpallur ditë zie në Komunën e Vitisë, ndërsa varrimi i viktimave do të bëhet gjatë ditës së premte.
“Qeveria komunale, në mbledhjen e mbajtur sot, ka vendosur që dita e premte, më 1 janar 2021, kur do të bëhet edhe varrimi i katër anëtarëve të familjes Zuka, të jetë ditë zie. Gjithashtu, është marrë vendim që të anulohen gjitha aktivitetet festive për sonte në ndërrimin e motmoteve në qendër të qytetit në Viti, e as nuk do të ndezen fishekzjarre si viteve të tjera”, thuhet në njoftimin e komunës.