Një 16-vjeçar nga Vitia ka humbur jetën si pasojë e infektimit me virusin corona mëngjesin e së enjtes.
Këtë e ka konfirmuar infektologia e Spitalit Rajonal të Gjilanit, Selvete Shurdhani, e cila ka thënë se i gjithë stafi mjekësor i Infektivës është tmerruar nga humbja e jetës së 16-vjeçarita.
“I ndjeri ka pasur ndryshime të mëdha në mushkri dhe temperaturë të vazhdueshme. Na ka tmerruar humbja e tij. Unë e kam pranuar pra 7-8 ditëve, ka qenë në gjendje të rëndë dhe është trajtuar deri sot nën mbikëqyrje maksimale nga i tërë stafi i Repartit të Infektives. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes”, ka thënë Shurdhani për Mediafokus.info.
Në prag të 1-vjetorit të shënimit të dy rasteve të para pozitive me coronavirus në Kosovë, 16-vjeçari vitias u regjistrua si viktima më e re e virusit.
Ndryshe, të mërkuren u shënuan gjashtë viktima dhe u konfirmuan 529 raste të reja pozitive me coronavirus, duke e çuar kështu numrin e rasteve aktive në 10 mijë e 91.
Numri total i rasteve pozitive është 74.748 raste nga 341.443 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.674 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 333 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 62.983 raste.