Pleqnari nga Peja, Haxhi Rrahman Lajqi ka qenë “msit” në rreth 120 martesa. Përveç kësaj ai ka bërë 93 divorce gjatë vitit të kaluar, ku sipas tij shkaktari kryesor i këtyre divorceve kanë qenë vjehrrat.
Ai thotë se sistemi ka qenë që pleqnari që ka ndërmjetësuar është dashur të jetë njeri me shumë dinjitet.
“Sot fejesat po bëhen ndryshe pasi të rinjtë po e gjejnë vet njëri tjetrin. Por familjarët ende po kanë dëshirë që msiti t’ia vendos “kapakun” kësaj pune”.
Haxhi Rrahman Lajqi edhe sot e kësaj dite e ka një odë në lagjen Fidanishte në Pejë ku edhe zgjidh probleme të ndryshme.
“Vitin e kaluar 93 divorce janë bërë në odën time”, shton i dëshpëruar pleqnari i cili shton se në të kaluarën arsyet për të cilat janë ndarë çiftet as që kanë mundur të diskutohen.
“Te shkatërrimi i familjes, çifti bashkëshortor në shumicën e rasteve nuk i kanë fajet. Fajet i kanë ata që i fusin “pykat” nga jashtë. Nga divorcet që i kam ndërmjetësuar vitin e kaluar, në 60% të tyre fajet i kanë vjehrrat”, ka thënë Lajqi në RTV Dukagjin.
Haxhi Rrahman Lajqi thotë se se edhe ndarja e pasurisë për femrat me ligjet e reja po i nxisin shumë divorcet.