Kohëve të fundit e gjithë vëmendja e ndjekësve të muzikës dhe estradës shqiptare është tek ‘grindja’ mes ‘bilbilave’, Shyhrete Behluli dhe Motrat Mustafa.
Gjithçka nisi me idenë për një këngë!
Në këtë këngë do të përfshihej nëna e artisteve, si në këndim ashtu edhe në videoklip, një realizim ky që nuk është bërë më herët nga ndokush nga artistët tanë.
Por, çështja është se kjo ide, sipas Motrave Mustafa ishte fillimisht e tyre, të cilën ato e kanë ndarë me Shyhrteten menjëherë pasi e kanë porositur t’i punohet kënga.
Deklarata e Sahides më pas ka filluar gjithë zënkën që po vazhdon ende.
Sahidja thotë se ajo ka porositur këngën tek Ilir Berani në fund të muajit shtator të vitit të kaluar, por, tekstshkruesja e këngës së Shyhretes, Nexhmije Muahxheri në një intervistë ka sqaruar me fakte se Shyhretja e ka pasur në plan këngën shumë para tyre dhe se teksti është përfunduar në gusht.
Megjithatë, Motrat Mustafa insistojnë se ideja ishte e tyre dhe se Shyhretja ka nxituar për të bërë një këngë dhe videoklip të tillë për ta publikuar para tyre, edhe pse ajo ka treguar se Sehidja nuk i ka dhënë detaje tjera përveç se ato po bëjnë një këngë për nënë, që sipas Shyhretes, i ka pëlqyer shumë dhe se të gjithë duhet t’i këndojnë nënës kur e kanë rastin.
Ndërkohë, Ilir Berani i cili ka bërë këngën, në një këshillë të dhënë për Motrat Mustafa, ka thënë se kënga do të ishte më mirë të publikohet pas muajve të festimeve për Vitin e Ri.
Ata e kanë zgjatur punën më shumë, ndërsa Shyhretja, e cila e ka bërë gati këngën për ta publikuar pikërisht më 8 mars, insiston se kjo ide e ngjashme e tyre ka qenë vetëm një rastësi, kurse Motrat kanë dashur që ta shfrytëzojnë emrin e saj për t’i bërë promovim këngës së tyre.
“Kjo gjë bën që kënga e tyre të mos jetë personale, por komerciale”, thotë Shyhrete Behluli.
Edhe tekstshkruesja Nexhmije Muhaxheri thotë se, megjithëse ka punuar me Motrat dhe i respekton shumë, ato këtë herë kanë gabuar dhe duhet të kërkojnë falje.
Kur në anën tjetër, kompozitori dhe tekstshkruesi i këngës së Motrave Mustafa ka qenë më i paqartë për këtë rast, pasi në një prononcim për Gazetën Express ai nuk ka dashur të marrë anën e askujt, duke thënë se këto janë llafe të grave.
“Këto janë llafe të grave në të cilat unë nuk dua të përfshihem. Ato vetë i kanë treguar të gjitha, kanë treguar se cila këngë është punuar e para dhe këto janë problemet mes tyre në të cilat unë nuk dua të përzihem. Të dyja i kam bashkëpunëtore”, ka thënë Iliri.
Në anën tjetër, ky rast rrezikon edhe miqësinë shumë-vjeçare të artisteve, të cilat madje janë të një vendi.
E për këtë, Shyhrete Behluli ka thënë se nëse Sahidja i kërkon falje publike Shyhretes, pasi ka tentuar edhe ta prishë imazhin e saj, atëherë miqësia e tyre mund të vazhdojë. Ndryshe, raportet do të mbesin të ftohta.
Por kjo duket se nuk do të ndodhë një kohë, pasi ato gjatë ditës së sotme edhe janë larguar nga lista e ndjekësve në rrjetet sociale të njëra-tjetrës.