0

Cima njofton se po trajtohet akoma në spital për COVID-19: Gjendja ime është e rëndë, por stabile.

Javë më parë u bë e ditur se humoristi shqiptar, Rasim Thaçi-Cima, ishte infektuar me COVID-19 dhe se po kërkohej gjak nga ata që e kaluan virusin.

Pas kësaj, azhurnimet në lidhje me shëndetin e artistit të mirënjohur kanë qenë të shumta nga familjarët, duke ndarë me fansat e publikun në rrjete sociale.

Së fundmi Cima ka njoftuar se është akoma në spital duke u trajtuar, në gjendje të rëndë por stabile.

Përmes një shkrimi të ndarë në profilin e tij në Instagram, i njëjti ka falënderuar personelin mjekësor dhe ka bërë thirrje që të respektohen sa më shumë masat kundër coronavirusit.

Ky është postimi i plotë i Cimës:
“Po lajmërohem pas një jave të vështirë. Një javë më parë ju lajmërova për gjendjen time që ishte duke u përmirësuar, mirëpo te nesërmen deri vonë natën më është keqësuar gjendja, kur edhe u detyruan që nga klinika Infektive të më dërgojnë në repartin Intenziv, ku vazhdoj të jem edhe më tej.

Gjendja ime është ende e rëndë, por stabile, jam në përkujdesjen e mjekëve dhe infermierëve 24 orë si unë po ashtu edhe për të gjithë pacientët e tjerë, ku nuk mungon vullneti dhe shpirti i tyre luftarak, për ne që përballemi me këtë betejë aspak të lehtë e në luftë sy më sy.

I lutem Zotit, së pari për shëndetin e të gjithë pacientëve e po ashtu edhe të mjekëve me stafin e tyre që po rrezikojnë për ne, e të dalim faqebardhë nga kjo situatë.

Po ashtu ju falënderoj nga zemra të gjithë ju që po interesoheni për gjendjen time vazhdimisht, shpresoj herë tjetër të jem edhe në gjendje më të mirë. Ju lutem respektoni masat sa më shumë. Me respekt Cima”.

SHPËRNDAJE