Tashmë është bërë deputete, ajo ka disa fjalë për t’i thënë.
Aktorja e njohur shqiptare, Adriana Matoshi, i ka fituar votat e mjftueshme për t’u bërë deputete e Kuvendit të Kosovës.
Ajo në këto zgjedhje kandidoi me numër 60 nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe është votuar nga mbi 10,403 njerëz.
Si rrjedhojë, Adriana Matoshi është bërë për herë të parë deputete e kuvendit, me ç’rast ka falënderuar të gjithë ata që treguan besimin e dhënë mbi të.
Matoshi në një status në rrjetin social Facebook, ka shkruar se më të lumtur e bën fakti që mbi 1/3 e kësaj legjislature i përkasin gjinisë femërore, duke potencuar se do të jetë zëri i qytetarëve si deputete.
“Përveç që e ndjej obligim moral t’ju falenderoj secilën e secilin për besimin që ma keni dhënë, më shumë se gjithçka më gëzon fakti që keni zgjedhur që 1/3-ta e ulëseve në Parlament, me qenë e mbushur me GRA!
Gjeneratat tona dikur kanë ëndërru me qenë të lirë, ta flasin gjuhën e nënës kudo, të shkollohen nga mësues e profesorë (burra e gra) në gjuhën shqipe.
Krejt këto ëndrra e shumë të tjera, sot për fat janë realitet.
Tash veç duhemi t’i ndërtojmë fuqishëm, t’i ngrisim në nivelin që i meritojmë dhe të punojmë pikërisht ashtu siç kemi ëndërru.
Prej sot, nga të gjithë pres BASHKËPUNIM.
Populli e deshmoi rëndësinë dhe fuqinë e vetë në këto zgjedhje, ashtu siç ka ditur ta dëshmojë edhe në epoka të tjera, sa të vështira, aq edhe të errëta dikur për ne.
Mos e kurseni asnjërin deputet (duke m’perfshi edhe mu), por t’i diskutojmë problemet dhe ngecjet e secilit proces. Mos e ëndërroni më Kosovën, po bashkë ta ndertojmë e t’jetojmë t’lumtur në realitet.
Kosova është e secilit prej nesh!
Trajtojeni vendin sikur ta keni shtëpinë tuaj, njerëzit e këtij vendi konsideroni si familjen e shoqërinë tuaj. Kujdesuni për gjithçka si me qenë oborri i shtëpisë. Mos heshtni para padrejtësive, shantazheve apo kërcënimeve.
Mos e lejoni askë të vendos per ju.
VETËVENDOSJA ju ka bindur që kur do populli vendos vetë”, ka shkruar Adriana Matoshi në Facebook.