0

Shefkie Hoxha rrëfen se si i gjeti të vrarë shtatë anëtarët e familjes.

Këto fotografi, që i ruan si thesarin më të çmueshëm, janë të vetmet fotografi që i kanë mbetur nga më të dashurit e saj, fati i të cilëve nuk dihet tash e 20 vite. I kujton çdo ditë, me lot në sy.

Është kjo Shefkie Hoxha nga Marali e Komunës së Malishevës, e cila në luftën e fundit ka humbur vajzën me familjen e saj. Ajo kujton kohën e fundit të kaluar së bashku.

Kur e kujton çastin kur i kanë treguar për humbjen e të bijës, rrënqethet e tëra dhe thotë që do kishte dashur dhe do jepte jetën që t’i kthejë prapë.

Momentin kur është kthyer në shtëpi, pas përfundimit të luftës, e kujton si një tmerr të vërtetë. Çdo gjë e shkatërruar.

“Për cikë teme, që mu ka mbytë në luftë, mjera nana për ta, spo di çka me thonë kur kom shku në shpi të saj e kom pa shpinë, majsha ymyd që është gjallë, deri sa më thanë mos u mundo mo se ta kanë mbyt ciken me krejt. Djali i ka pas 9 vjet e gjysmë, Arta 18 vjet edhe tjerat më të vogla, në krejt kom pas dhimtë, si në qiken teme edhe në Hamdinë”, tha Hoxha.

E dëshira e saj është që të paktën t’i dijë trupat e tyre ku janë, që të paktën ta ketë një vend t’u pushojë trupi i qetë.

“Edhe sa nuk i kanë gjete, ishalla gjinden, jo mos me ja ditë varrin ku e kanë, më keq nuk ka”, u shpreh ajo.

E ne, e lamë përsëri me lotë në sy, dhe duke shpresuar që dëshira e saj dhe e shumë familjeve që ende nuk i kanë gjetur të afërmit e tyre të realizohet, pasi që edhe sot e kësaj dite nuk dihet për fatin e më 1.600 personave, të cilët vazhdojnë të renditen ende të pagjetur nga lufta e Kosovës.

Në anën tjetër organizatat që merren me çështje të të pagjeturve vazhdojnë të lobojnë që të bëhet më shumë në këtë aspekt nga Qeveria e Kosovës, si dhe të përfshihen në bisedimet Kosovë-Serbi, duke bërë thirrje që të hapen arkivat që do ta zbulojnë fatin e familjarëve të tyre.

SHPËRNDAJE